Reforma e re e pensioneve në Shqipëri pritet të përfundojë brenda vitit 2026 dhe synon përshtatjen e skemës aktuale me ndryshimet demografike, zhvillimet në tregun e punës dhe procesin e integrimit evropian, pa prekur kontributet e derdhura nga qytetarët ndër vite.
Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, ka bërë të ditur se reforma mbështetet në dy shtylla kryesore: ndryshime parametrike dhe ndryshime sistemike, me synimin për të garantuar qëndrueshmëri financiare dhe të ardhura më të mjaftueshme për pensionistët.
Në kuadër të ndryshimeve parametrike, po rishikohet mosha e daljes në pension dhe formula e përllogaritjes së përfitimeve. Aktualisht, mosha e pensionit për gratë rritet me dy muaj çdo vit dhe në vitin 2026 do të arrijë 62 vjeç, ndërsa për burrat rritja parashikohet të nisë në vitin 2032. Sipas Manjanit, ekziston mundësia që ky proces të përshpejtohet për t’u përafruar me direktivat evropiane që synojnë barazimin e moshës së pensionit, por Shqipëria ka kërkuar një periudhë tranzitore për të shmangur tronditje në tregun e punës.
Ndryshimet sistemike përfshijnë forcimin e skemave private vullnetare të pensioneve dhe diskutime për krijimin e skemave private të detyrueshme, pas konsultimeve me biznesin dhe grupet e interesit. Autoritetet theksojnë se parimi kontributiv do të mbetet baza e sistemit dhe se reforma nuk synon të ndryshojë mënyrën se si qytetarët kontribuojnë apo përfitojnë.
Paralelisht me reformën, qeveria parashikon një politikë mbështetëse për rritjen graduale të pensioneve deri në vitin 2030. Sipas planit, pensioni mesatar urban me vite të plota pune pritet të rritet nga rreth 27 mijë lekë në 40 mijë lekë, pensioni urban i pjesshëm nga rreth 15 mijë në 22 mijë lekë, pensioni rural nga 11 mijë në 18 mijë lekë, pensioni familjar nga 11 mijë në 18 mijë lekë dhe pensioni i invaliditetit nga 20 mijë në 30 mijë lekë.
Nga janari 2026 do të nisë aplikimi i rritjes mujore të pensioneve, e cila do të jetë e ndarë sipas kategorive dhe do të vijojë çdo vit deri në vitin 2030. Rritja do të shtohet progresivisht nga viti në vit, me synimin për të garantuar stabilitet afatshkurtër për pensionistët aktualë dhe një sistem pensioni më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.
