Adriatik Lapaj, përfaqësues i “Nisma Shqipëria Bëhet”, deklaroi se nuk pajtohet me formën si po procedon opozita për koordinim në Tiranë. Ai tha se PD po bën një “xhiro bisedimesh për teatër”, ndërsa akuzoi se ky qytet me afro 700 mijë votues nuk duhet të trajtohet si skenë për lojëra politike.
Lapaj tha se nuk do të pranojë të bëhet palë e një kandidati partiak për kryeqytetin, sepse kjo, sipas tij, nuk është rruga e duhur për të sjellë liderë dinjitozë për qytetin. Ai insistoi se Tirana meriton një figurë që shkon më tej se partia, në shërbim të komunitetit dhe qytetarëve.
Megjithatë, ai sqaroi se është i gatshëm për bashkëpunim për ide dhe politika, por jo për të qenë pjesë e një procesi që perceptohet si manipulativ me kandidatura të vendosura në mënyrë të paracaktuar.
