Organizatat SCiDEV dhe BIRN Albania kanë publikuar raportin vjetor për vitin 2025 mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri.
Raporti analizon zhvillimet kryesore që kanë ndikuar në mjedisin mediatik gjatë vitit të kaluar, duke i krahasuar ato edhe me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas gjetjeve të raportit, megjithëse janë bërë disa hapa për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave mbrojtës për gazetarët, problemet kryesore mbeten presioni politik, përqendrimi i pronësisë së mediave dhe kushtet e pasigurta të punës.
Të dhënat tregojnë se 40.6% e gazetarëve kanë përjetuar kërcënime ose kanosje gjatë vitit 2025, ndërsa rreth 68% e tyre deklarojnë se ndihen të kufizuar në raportim për shkak të frikës nga censura ose hakmarrja.
Gjithashtu, rrjeti SafeJournalists Network ka regjistruar 42 raste shkeljesh ndaj gazetarëve, duke përfshirë kërcënime, presione dhe ngacmime në internet.
Raporti ndalet edhe te zgjedhjet parlamentare të majit 2025, ku rreth 70% e gazetarëve raportuan vështirësi në qasjen në informacion, ndërsa disa prej tyre u përballën me presione për të kufizuar raportimin.
Në përfundim, raporti rekomandon forcimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët, rritjen e transparencës së pronësisë së mediave, përmirësimin e kushteve të punës dhe garantimin e pluralizmit mediatik në përputhje me standardet europiane.
