“Rrëfimi i errët i Zllatko Novkoviq: nga paramilitar në Bosnje te përkrahës i pushtimit rus – burri që kërcënoi protestuesit në Beograd”

Data

Kur të dielën, më 2 nëntor, përkrahësit dhe kundërshtarët e pushtetit në Serbi u gjendën përballë njëri-tjetrit, në dhe rreth kampit të tendave, të quajtur në popull “Qaciland”, në qendër të Beogradit, kamerat e xhiruan në mesin e mbështetësve të Qeverisë një burrë, i cili u dërgoi kundërshtarëve mesazh të qartë duke e bërë me dorë gjestin e prerjes së fytit.

Duke përdorur mjete nga burime të hapura, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) ka gjetur se burri që kërcënoi me prerjen e qafës është Zllatko Novkoviq, shtetas amerikan me origjinë serbe, i cili ka edhe pasaportë ruse.

Në rrjete sociale u shpërndanë shpejt incizime arkivore nga koha e luftës në Bosnje, ku Novkoviq shfaqet mes pjesëtarëve të formacioneve paramilitare çetnike në Tërnovë dhe në Igman, afër Sarajevës.

Në rrjetet sociale ai pretendon se ka qenë në Mariupol, qytetin ukrainas, i cili u shkatërrua nga forcat ruse në vitin e parë të pushtimit, dhe se ka vizituar formacionet ruse në Donbas e Sevastopol.

Ai është xhiruar pranë ndërtesës së Kuvendit të Serbisë, pikërisht në ditën kur Dijana Hërka, nëna e një prej viktimave të aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad, nisi grevën e urisë.

Hërka, e cila iu bashkua protestave masive që po vazhdojnë në Serbi qysh prej nëntorit 2024, dhe përmes së cilave kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e çatisë, kërkon gjithashtu lirimin e të gjithë të ndaluarve në demonstrata.

Asaj nuk iu lejua të protestonte para Kuvendit. Policia dhe grupet proqeveritare, të cilat disa muaj më parë e mbyllën këtë pjesë të Beogradit dhe ngritën kampin me tenda, e penguan atë.

Dita e parë e protestës së saj u zhvillua në atmosferë tensioni. Mes dy palëve fluturonin shishe, pjesë të gardhit metalik dhe mjete piroteknike, ndërsa nga “Qacilandi” dëgjoheshin këngë nacionaliste. Në atë anë ndodhej edhe Novkoviqi.

Partia Përparimtare Serbe, parti në pushtet, nuk është deklaruar lidhur me veprimet e Zllatko Novkoviqit.

Kush është Zllatko Novkoviq?

Zllatko Novkoviq, 62 vjeç, i njohur edhe me nofkën Zak Novak, ka lindur në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2021, ai njoftoi në rrjetet sociale se kishte marrë pasaportë ruse dhe, sipas profilit të tij në Facebook, më 23 prill 2015, është zhvendosur në rajonin e Donjeckut në lindje të Ukrainës.

Në prill të vitit 2014, separatistët prorusë, me mbështetjen e Rusisë, pushtuan ndërtesat qeveritare në disa qytete të Donjeckut dhe shpallën të ashtuquajturën Republika Popullore e Donjeckut (DNR).

Nga fotografitë që ai publikon në rrjetet sociale, të cilat REL-i i ka verifikuar gjeografikisht, mund të vihet në përfundim se ato janë bërë në territoret e pushtuara të Ukrainës.

Në rrjetet sociale ai deklaron se është pjesë e të ashtuquajturit Batalioni Humanitar “Novorosija”.

Moska e përdor termin “Novorosija” për zonat e pushtuara në lindje dhe jug të Ukrainës. Novkoviq shpesh fotografohet me simbolet e kësaj zone dhe në disa intervista për media që promovojnë pushtimin rus ka thënë se “rusët e kanë pritur me zemër të hapur”, edhe pse është shtetas amerikan.

Ai thotë se në Donbas punon si gazetar, por edhe se është rezervist i ushtrisë ruse. Në rrjetin rus VKontakte, ai prezantohet si vullnetar serb nga SHBA-ja “që dikur ka luftuar kundër shqiptarëve dhe kroatëve, e tani kundër ukrainasve”.

REL-i nuk ka të dhëna që konfirmojnë pjesëmarrjen e tij në luftën në Kosovë apo Kroaci, përveç asaj në Bosnje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related