Këshilli i Lartë Gjyqësor ka publikuar raportin më të fundit mbi gjendjen e sistemit gjyqësor në vend, ku evidentohen ende probleme serioze me stokun e çështjeve të pazgjidhura dhe mungesën e gjyqtarëve.
Sipas raportit të paraqitur në Parlament, aktualisht në gjykatat shqiptare rezultojnë 20 mijë e 888 çështje ende pa zgjidhje. Megjithatë, dokumenti evidenton një përmirësim krahasuar me fundin e vitit 2021, kur numri i çështjeve të prapambetura arrinte në 36 mijë e 288.
Raporti thekson gjithashtu se krahasuar me vitin 2024, stoku i çështjeve është ulur me 5 mijë e 170 raste, ndërsa koha mesatare e shqyrtimit gjyqësor është reduktuar me rreth 10 për qind.
Pavarësisht progresit të raportuar, KLGJ vëren se sistemi gjyqësor vazhdon të vuajë mungesën e trupës gjyqësore. Aktualisht në sistem janë aktivë 417 gjyqtarë, që përfaqësojnë vetëm 71 për qind të numrit të nevojshëm sipas standardeve.
Për të arritur kapacitetin optimal, sipas raportit, sistemit i nevojiten edhe 111 gjyqtarë shtesë. Dokumenti i referohet edhe standardeve europiane, sipas të cilave duhet të ketë të paktën 21 gjyqtarë për çdo 100 mijë banorë, ndërsa në Shqipëri ky tregues është aktualisht 17 gjyqtarë për 100 mijë banorë.
Në pjesën që lidhet me disiplinën në sistemin gjyqësor, KLGJ bën të ditur se Komisioni Disiplinor ka shqyrtuar disa procedura ndaj gjyqtarëve dhe po vijon trajtimin e rasteve të mbartura nga vitet e kaluara.
Raporti vjen në një moment kur reforma në drejtësi vijon të konsiderohet një nga proceset kryesore institucionale në vend, ndërsa plotësimi i vakancave në sistem mbetet ende një nga sfidat më të mëdha të drejtësisë shqiptare.
