Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër projektit në Zvërnec gjatë një takimi me socialistët në Vlorë, në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Duke iu referuar vizitës së tij në Tivat të Malit të Zi, ku mori pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, Rama tha se shembulli i këtij qyteti tregon se si investimet strategjike mund të ndryshojnë rrënjësisht zhvillimin ekonomik dhe turistik të një vendi.
“Erdha këtu drejtpërdrejt nga Tivati dhe gjatë gjithë kohës kam menduar se si mund të ndryshojë rrënjësisht fati i një vendi dhe se si një vendim i gabuar mund të devijojë rrugën e së ardhmes së tij”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, Tivati ishte dikur një qytet i vogël bregdetar me rreth 10 mijë banorë dhe me aktivitet të kufizuar turistik, por investimet e realizuara në vitet e fundit e kanë transformuar atë në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të rajonit.
Kreu i qeverisë argumentoi se zhvillime të ngjashme mund të realizohen edhe në Shqipëri përmes projekteve të mëdha investuese, duke theksuar se vendi nuk duhet të humbasë mundësi që mund të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e turizmit.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur kundërshtimet ndaj projektit të planifikuar në Zvërnec janë shtuar, me protesta të përditshme në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit, ndërsa qeveria argumenton se investimi do të respektojë standardet mjedisore dhe do të sjellë zhvillim ekonomik për zonën.
Kryeministri ka përsëritur se projekti do t’u prezantohet banorëve sapo të përfundojë hartimi i tij dhe ka theksuar se investimet strategjike janë pjesë e vizionit për zhvillimin afatgjatë të turizmit shqiptar.
