Kryeministri Edi Rama reagoi dje sërish lidhur me akuzat e opozitës së ka përfituar prona në Vuno të Himarës duke përdorur pushtetin e tij si kreu i qeverisë. Në një postim të gjatë në Facebook, Rama shkroi se ndërkohë në Himarë Vangjel Tavo fitoi zgjedhjet, opozita vijon akuzat të cilat ai i konsideron si çorbë e ekstremistëve grekë që janë gatuar nga Athina që konsumohet në Shqipëri. “Në ndërkohën që Himara u mblidhej për të bërë zgjedhjen e qartë dhe të padiskutueshme që bëri dje, kuzhina e qarqeve ekstremiste greke, ku është gatuar çorba e madhe e gënjeshtrave për pronat në Himarë dhe qenefët e atyre në Tiranë pa din, iman, fe e as atdhe, vijuan të jashtënxjerrin rrena me bisht mbi historinë e pronave të familjes së nënës time në fshatin Vuno të Himarës”, shkruan Rama. Kreu i qeverisë shpjegon se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë.
“Ata andej, poshtë nga Athina, nuk duan ta pranojnë se në Shqipëri ka vdekur koha kur mund të fusnin hundë e duar, për të bërë çorap punët tona përmes shërbëtorësh dhe eunukësh me pushtet në Tiranë. Ndërsa këta këtej, lart nga Tirana, pasi vdiq koha kur mund ta shkelnin me të dyja këmbët çdo ligj e zakon, për të grabitur ç’të mundeshin me hijen e pushtetit dhe me ligje e vendime qeverie të kopsitura për interesat e tyre, të familjarëve e të tarafeve të tyre, duan medoemos të më fusin edhe mua në kategorinë e mjerë të të korruptuarve, të cilës i përkasin përgjithmonë në mënyrën më të palavdishme”, shpjegon Rama. Gjithashtu Rama shkruan më tej se padia e radhës për shpifjet do të shkojë në gjykatë sapo të jetë gati. “Duke qenë ky i pronës së grabitur nga unë në Vuno me vendime qeverie, një fabrikim i hatashëm në tërë ndytësinë e vet, po ndaj publikisht disa fakte që e tregojnë shumë kokëfortësisht, se jo vetëm s’jemi të gjithë njësoj në këto llogoret e politikës, po jetojmë në dy botë krejt të ndryshme dhe kemi për politikën dhe pushtetin botëkuptime që dallojnë si dita me natën”, shkroi Rama ndër të tjera.
