Avokati Arben Llangozi ka shpërthyer në një deklaratë të fortë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Taulant Ballës nga posti i ministrit të Shtetit për Diasporën, për shkak të dyshimeve të rënda për lidhjet e tij me grupe kriminale. Sipas Llangozi, kjo është një tradhti e rëndë ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë, ku pozita e ministrit është përdorur për manipulime elektorale dhe mbështetje për bandat. Kjo situatë, thekson ai përmes një statusi në rrjetet sociale, është një goditje e rëndë ndaj besimit të qytetarëve dhe kërkon një hetim të plotë dhe të pavarur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Sipas tij, Shqipëria meriton një qeverisje të pastër dhe të ndershme, pa ndikimin e krimit në politikë.
“Është e tmerrshme se në çfarë vendi jetojmë Ministri i Brendshëm pjesë e bandave! Jemi të tronditur nga raportimet dhe dëshmitë e fundit, të cilat ngrenë dyshime të rënda për përfshirjen e ish-Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, në bashkëpunim me grupe kriminale për qëllime politike dhe elektorale. Ky është një akt i papranueshëm që minon themelet e shtetit ligjor dhe demokracisë në Shqipëri. Është e papranueshme që një ministër, i cili është betuar të mbrojë ligjin dhe rendin, të përdorë pozicionin e tij për të bërë marrëveshje të fshehta me kriminelë, duke lejuar manipulime elektorale dhe ndëshkime selektive ndaj rivalëve të tyre.
