Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se ambicia e qeverisë së tij është që Shqipëria brenda kësaj dekade të jetë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama theksoi se nëse Shqipëria është gati brenda vitit 2030 për të qenë pjesë e familjes europiane, kjo do të thotë se u kemi dhënë shqiptarëve një vend që funksionon me standardet e një vendi të BE.
“Shqipëria nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe nuk është një vend në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ja lejon të qëndrojë edhe me kurriz nga Evropa, Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me BE dhe me SHBA dhe ecën çdo ditë krah për krah me aleatët e vet strategjikë dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre, merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen riu zgjohet për të vazhduar të ecë, sepse Shqipëria, për faktin se shqiptarët unanimisht kanë vendosur që përfundimisht ti përkasin BE nuk ka asnjë rrugë tjetër. Ne duam që brenda kësaj dekade të jemi gati. Nëse jemi gati brenda 2030, që të jemi anëtarë në BE, do të thotë se për shqiptarinë dhe shqiptarët do ketë një shtet që funksionon si shtet i BE dhe kjo është më e rëndësishmja për mua dhe për ne të gjithë”, deklaroi Rama.
