Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të ndjekë vetëm rrugën e protestave kundër qeverisë së Edi Ramës, duke përjashtuar çdo formë bashkëpunimi institucional me mazhorancën, përfshirë proceset territoriale dhe zgjedhore.
Në një komunikim live me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha akuzoi kryeministrin se po përpiqet të zhdukë prova dhe dosje ku, sipas tij, është i implikuar vetë dhe familja e tij. Ai iu referua çështjeve që lidhen me pronat e AKSH-it dhe episodit të thirrjes nga SPAK të ish-zëvendësdrejtorit të këtij institucioni.
Sipas Berishës, ish-zyrtari është mbajtur për orë të tëra në Elbasan me qëllim që të ndryshonte dëshminë e tij dhe të mos fliste për çështje që, sipas opozitës, implikojnë bashkëshorten e kryeministrit.
“Zëvendësdrejtori u mbajt peng sepse dyshohej se kishte folur në SPAK. Qëllimi ishte të zhdukej dosja e AKSH-it, sepse aty përflitej Linda Rama. Halli i Ramës është shumë i madh dhe për këtë arsye ai po vepron me terror dhe presion ndaj institucioneve”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se ka indicie për ekzistencën e regjistrimeve që lidhen me ndikim në diktimin e fituesve të tenderëve dhe ngriti pikëpyetje mbi reagimin e kryeministrit në rast se hetuesit do të kërkonin dokumente edhe në banesën e tij private.
Duke folur për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, Berisha deklaroi se Rama do të bllokojë çdo përpjekje për arrestimin e saj, ashtu siç, sipas tij, ndodhi më parë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Rama nuk do të pranojë asnjë mandat arresti për Ballukun. Do të veprojë njësoj si me Tahirin. Kjo është arsyeja pse kërkesa për arrest nuk u çua që në fillim në Parlament, sepse do të rrëzohej. Ndërkohë u fitua kohë për të zhdukur provat”, tha Berisha.
Ai theksoi se kërkesa e prokurorit për pezullimin nga detyra të Ballukut ishte plotësisht e ligjshme dhe e bazuar në ligj, duke shtuar se prokurori nuk u tërhoq përballë presioneve dhe kërcënimeve.
Në vijim, Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese se, me vendimin për heqjen e pezullimit, i ka dhënë kryeministrit një “licencë për të vazhduar vjedhjet”.
“Vendimi i Kushtetueses i dha Ramës dritën jeshile për të vazhduar grabitjen. Për këtë arsye, rruga dhe vetëm rruga është mënyra për t’i rrëzuar ata që legalizuan vjedhjet”, u shpreh ai.
Berisha paralajmëroi se opozita do të përdorë të gjitha format e protestës për rikthimin e votës së lirë, mbrojtjen e familjes shqiptare dhe ndaljen, sipas tij, të rrënimit të vendit.
Në fund, ai shprehu mbështetje për protestën e organizuar nga Adriatik Lapaj dhe dënoi ndërhyrjen e policisë, duke e cilësuar atë si një protestë të drejtë dhe të vendosur.
