Rama për protestat: Kanë arsye reale, por nuk organizohen nga algoritmet apo forcat e huaja

Data

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protesta qytetare që po zhvillohet prej më shumë se 40 ditësh mbart shqetësime reale të qytetarëve, duke theksuar se arsyeja e saj nuk lidhet me algoritmet apo me ndërhyrje të forcave të huaja, por me problematika të përditshme që duhen kuptuar dhe adresuar.

Gjatë një takimi me të rinjtë në Jalë, Rama sqaroi deklaratat e mëparshme mbi ndikimin e algoritmeve dhe dezinformimit, duke theksuar se ato mund të ndikojnë në mënyrën se si përhapet përmbajtja në rrjetet sociale, por nuk janë shkaku i protestës.

“Protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe janë të qenësishme për t’u lexuar siç duhet. Algoritmi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara. Ai i hedh benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit,” u shpreh kryeministri.

Sipas Ramës, çdo protestë përçon një mesazh që duhet analizuar me kujdes, ndërsa qeveria ka detyrimin të kuptojë jo vetëm shqetësimet e qytetarëve, por edhe faktorët që mund të ndikojnë në zhvillimin e saj.

“Detyra ime është të kuptoj sa më mirë mesazhet që mbart protesta, organizatorët dhe gjithçka që qëndron pas saj. Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i një proteste, as forcat e huaja armiqësore nuk janë arsyeja themelore që njerëzit dalin në protestë,” deklaroi ai.

Kryeministri shtoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes problemeve reale që kërkojnë zgjidhje dhe përmbajtjeve manipuluese që, sipas tij, mund të deformojnë perceptimin publik.

Duke iu referuar protestave të nisura fillimisht për projektin në zonën e Zvërnecit, Rama tha se debati ndryshoi pasi, sipas tij, faktet rezultuan ndryshe nga perceptimet e krijuara.

“Protesta nisi me Zvërnecin dhe sot ajo çështje është lënë pas. Realiteti i fakteve ishte ndryshe nga ai që u krijua përmes kanaleve të dezinformimit. Qeveria nuk ka shitur Sazanin apo Zvërnecin. Përkundrazi, edhe sot që flasim, qëndrimi ynë është që shteti të mbetet pjesë si pronar në atë sipërmarrje dhe ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare,” tha Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related