Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka njoftuar se të hënën opozita do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Blendi Gonxhja, lidhur me miratimin e fondit prej 4.2 milionë eurosh për koncertin e reperit amerikan Kanye West.
Në një reagim publik, Bardhi akuzon qeverinë për përdorim të paligjshëm të fondit rezervë të shtetit, duke pretenduar se ky fond është destinuar për raste emergjencash dhe jo për financimin e aktiviteteve private.
Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe deklarata të mëparshme të Edi Ramës, kur ishte në opozitë, ku ai kishte kritikuar shpenzimet prej rreth 1 milion eurosh për aktivitetet e organizuara në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, duke i cilësuar atëherë si abuzim me fondet publike.
“Kur Edi Rama ishte në opozitë denonconte tre evente publike, të organizuara për festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me vlerë 1 milion euro, duke i cilësuar si abuzim me ligjin dhe një oportunitet korrupsioni. I njëjti Edi Rama, 14 vite më pas, miraton një fond 4.2 milionë euro për një koncert privat, pa asnjë procedurë, në shkelje flagrante të ligjit, me fondet që duhet të përdoren vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore apo situatave të jashtëzakonshme,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, me standardin që ka vendosur vetë kryeministri në të kaluarën, Rama duhet të mbajë përgjegjësi penale për mënyrën e përdorimit të parave publike.
“Prandaj, ditën e hënë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) kundër Edi Ramës dhe Blendi Gonxhes, të cilët duhet të japin llogari para ligjit dhe qytetarëve për abuzimin flagrant me paratë e shqiptarëve,” përfundon reagimi i kreut të grupit parlamentar të PD-së.
