Deri tre javë më parë, Sokol Sadushi dukej një nga njerëzit më të paprekshëm në Shqipëri. Pjesë e grupit të “baballarëve” të Reformës në Drejtësi, ai u katapultua në krye të Gjykatës së Lartë, pavarësisht idesë paraprake se ekspertët e Nivelit të Lartë nuk mund të merrnin poste të larta në Drejtësinë e Re.
Prej mëse tre vitesh, Sadushi udhëheq me dorë të fortë, të paktën në dukje, trupën e Gjykatës së Lartë. Njëkohësisht, ai vendosi nën urdhërat e tij edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), një strukturë që menaxhon kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese.
Falë pozicionit të drejtuesit në KED, Sokol Sadushi udhëhoqi një operacion kirurgjikal për ndërprerjen e parakohshme të 3 mandateve në Gjykatën Kushtetuese. Por, pikërisht, ky rast, që dukej si rezultati më spektakolar i tij, po i shndërrohet në problemin më të madh.
Oreksi i shtuar i Sokol Sadushit për mandatet në Gjykatën Kushtetuese, e ka vendosur atë përballë forcave madhore politike, të cilat, duket se e kanë kuptuar disi me vonesë revanshin e tij në sistemin e drejtësisë.
Gjatë të gjithë muajit Tetor, Sokol Sadushi është vendosur në shënjestër të televizionit më të madh kombëtar, “Top Channel”, por edhe të disa mediave të tjera. Në fokus është votimi i diskutueshëm në Gjykatën e Lartë për të zgjedhur anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese mes kandidatëve Asim Vokshi dhe Naureda Llagami.
Ky sulm i ashpër mediatik, u pasua nga një ngjarje me të vërtetë e paprecedentë, e konsumuar të enjten e kësaj jave (23 Tetor 2025). Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi ceremoninë për betimin e 42 magjistratëve të rinj, por ishte “harruar” të ftohej Sokol Sadushi, i cili mban edhe pozicionin e kryetarit të Bordit të Shkollës së Magjistraturës.
Formalisht, “harresa” mund të justifikohet me faktin që ceremonia e betimit u bë shumë shpejt, vetëm 24 orë pas emërimit të gjyqtarëve të rinj. Megjithatë, “harresa” për të ftuar Sadushin, firma e të cilit është në diplomat e magjistratëve të rinj, nuk duket aspak rastësore.
Në pamje të parë, duket se “harresa” është një hakmarrje e kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi, për mungesën e ftesës zyrtare të tij nga Sadushi për të marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.
Megjithatë, “hakmarrja” e Rusit për ftesën e munguar duket se është vetëm njëra pjesë. Kryetari i KLGJ-së, në albumin fotografik të ceremonisë kishte vendosur të paktën tre foto, ku në krah të tij gjendej i buzëqeshur Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, njeri që ka krijuar “përplasje thikash” me Sokol Sadushin. Ky mund të jetë mesazhi më domethënës që Sadushi është “jo i mirëpritur” në Polin e Drejtësisë.
