Kërkon listën e plotë të udhëtimeve dhe kostot e tyre
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, u kërkon Shërbimeve Qeveritare informacion për udhëtimet me charter të Kryeministrit Edi Rama dhe kostot e këtij shërbimi.
Nëpërmjet kësaj shkrese zyrtare, Bardhi kërkon konkretisht listën e plotë të udhëtimeve jashtë vendit të kryeministrit nga data 15 shtator 2013 deri në datën 1 mars 2024. Koston për secilin prej këtyre udhëtimeve dhe koston totale të udhëtimeve për periudhën e sipërcituar. Marrëveshjen e nënshkruar me shoqërinë “Air Albania” sh.p.k., nga e cila përfiton udhëtimet me charter kreu i qeverisë si dhe listën e plotë të udhëtimeve të kryera në kuadër të kësaj marrëveshjeje dhe kostot e tyre.
Kërkesa e Bardhit vjen pas akuzave të vazhdueshme të opozitës ndaj kryeministrit Rama, duke pretenduar se për 137 fluturime me charter, ai ka shpenzuar rreth 22 milion euro.
Vetë kreu i qeverisë ka deklaruar se avioni charter i është vënë në dispozicion për promovim nga kompania bazuar në një marrëveshje. Gjithashtu, Rama ka theksuar se nuk ka abuzuar me udhëtimet që i ka kryer për shkak të detyrës së tij si kryeministër.
Për udhëtimet e kryeministrit me charter Grupi Parlamentar i PD më 21 dhjetor të vitit 2022 kërkuan dhe ngritjen e një komisioni hetimor. Kjo kërkesë e firmosur nga 36 deputetët të opozitës u rrëzua nga mazhoranca. Edhe në marrëveshjen e bërë javët e fundit mes PS dhe PD ky komision nuk e mori miratimin e mazhorancës, të cilët i hapën rrugën vetëm dy komisioneve, për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe për dy kontrata koncesionare në shëndetësi.
