Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka akuzuar mazhorancën se po përdor qëllimisht zvarritjen institucionale për të penguar hetimin penal ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve është një manovër politike që synon të djegë afatet ligjore dhe t’i mbyllë rrugën drejtësisë.
Alibeaj theksoi se procedura në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit janë dy procese tërësisht të ndara, pa asnjë lidhje juridike mes tyre. Ai e cilësoi pretendimin e shumicës se duhet pritur vendimi i Kushtetueses si një justifikim artificial për të mos marrë vendim në Kuvend.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese shqyrton vetëm kushtetutshmërinë e masës së pezullimit nga detyra, ndërsa SPAK tashmë ka kërkuar një masë tjetër sigurie, arrest me burg ose arrest shtëpie, për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe ndikimit mbi hetimin. Për këtë arsye, vendimi i Kushtetueses, sipas Alibeajt, nuk ka asnjë ndikim real mbi kërkesën për arrest.
Ai deklaroi se Këshilli i Mandateve nuk ka asnjë tagër të vlerësojë prova apo të bëjë gjykatë politike, por vetëm të hapë rrugën që drejtësia të veprojë pa pengesa. Mosheqja e imunitetit, sipas tij, është e barabartë me bllokimin e drejtpërdrejtë të SPAK-ut.
“Nëse Kuvendi nuk vepron, është njësoj si t’i presësh njërën dorë prokurorisë. Kjo nuk është drejtësi e plotë, por drejtësi gjysmake”, u shpreh Alibeaj.
Ish-ministri akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërtuar qëllimisht këtë lidhje fiktive mes dy proceseve për të fituar kohë dhe për të mbrojtur Ballukun. Ai paralajmëroi se kjo sjellje rrezikon seriozisht Reformën në Drejtësi dhe kthen vendin pas në kohë.
Sipas Alibeajt, situata aktuale përbën një sulm institucional ndaj drejtësisë dhe kërkon reagim nga partnerët ndërkombëtarë, pasi pushteti ekzekutiv dhe ai parlamentar, sipas tij, po veprojnë të bashkuar për të neutralizuar hetimet.
“Nuk bëhet fjalë më për procedurë, por për frikë politike. Kur pushteti i mbyll derën drejtësisë, atëherë kemi një problem të madh demokratik”, përfundoi Alibeaj.
