“Rama në avion, Vlora pa ujë” – Vasili shpërthen: Ka ikur totalisht nga realiteti

Data

Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër lidhur me situatën e rëndë të mungesës së ujit të pijshëm në Vlorë, duke ironizuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama dhe propagandën e mazhorancës.

Në një reagim publik, Vasili akuzon qeverinë se po shmang përgjegjësinë për krizën e ujit, duke ia faturuar problemet punimeve të kryera në vitin 2009, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Sipas tij, kjo është një justifikim absurd pas më shumë se një dekade në pushtet.

“Ky ka ikur totalisht nga realiteti. Vetëm bredh dhe ka mbetur në avion, ndërsa punës i ka thënë ‘mirupafshim’,” shprehet Vasili me tone të forta ironie.

Ai vijon më tej me kritika të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit, duke e akuzuar se është shkëputur nga problemet reale të qytetarëve:

“Rama thotë: ‘Hajdeni shoqe më qani burrin se unë do shkoj në dasmë’. Ndërkohë Vlora është pa ujë.”

Vasili thekson se mazhoranca socialiste ka 13 vite në qeveri dhe rreth 30 vite drejtim të bashkisë, ndaj sipas tij, është e papranueshme që përgjegjësia të hidhet ende mbi qeveritë e mëparshme.

“Pas 13 vitesh qeverisje dhe 30 vitesh bashki socialiste, fajin vazhdojnë t’ia lënë Saliut, Ahmet Zogut dhe ilirëve,” shkruan ai.

Deklarata e Vasilit i shtohet debatit të fortë politik mbi krizën e ujit në Vlorë, një problem që ka nxitur protesta qytetare dhe ka rikthyer vëmendjen te dështimet infrastrukturore dhe menaxheriale të qeverisjes aktuale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related