Gazeta holandeze Het Financieele Dagblad i ka kushtuar një artikull hetimeve për inceneratorin e Tiranës, duke raportuar se dy administratorë holandezë të kompanisë Geogenix dyshohen nga SPAK për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Çështja lidhet me koncesionin me vlerë mbi 120 milionë euro për ndërtimin e një impianti të përpunimit dhe djegies së mbetjeve në Tiranë. Një prej kompanive që përfitoi kontratën ishte degë e kompanisë holandeze Integrated Energy, e cila më vonë ndryshoi emrin në Geogenix.
Sipas raportimit, SPAK dyshon se vetëm një pjesë e fondeve u përdor për projektin, ndërsa rreth 30 milionë euro u transferuan në mënyrë të parregullt në favor të dy biznesmenëve shqiptarë. Impianti i parashikuar, sipas gazetës, nuk u ndërtua.
Në artikull thuhet se në administrimin e kompanisë kanë qenë edhe shtetasit holandezë Michael D. dhe Marc L. Për ta janë lëshuar urdhër-arreste nga autoritetet shqiptare, ndërsa të dy i kundërshtojnë akuzat.
Në një reagim për gazetën holandeze, Marc L. i cilësoi pretendimet si “të çuditshme dhe të pakuptueshme”. Ai deklaroi se administratorët e kompanive trust nuk kanë qenë të përfshirë në veprimtarinë operative në Shqipëri dhe se transaksionet e kryera kanë qenë të kontrolluara dhe të dokumentuara.
Media holandeze e lidh këtë dosje me hetimet më të gjera për tre koncesionet e inceneratorëve, të dhëna nga qeveria shqiptare në vitin 2017. Këto hetime kanë çuar më herët në dënimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për korrupsion.
Artikulli vlerëson se skandali i inceneratorëve ka marrë vëmendje të madhe publike dhe e ka vendosur qeverinë e kryeministrit Edi Rama në një pozitë të vështirë, në një periudhë kur në vend po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe qeverisjes.
Gazeta përmend gjithashtu hetimet që lidhen me projektet turistike të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zona të mbrojtura të bregdetit shqiptar, të cilat janë kundërshtuar nga aktivistë dhe protestues.
SPAK nuk i ishte përgjigjur deri në publikimin e artikullit pyetjeve të medias holandeze për rolin e administratorëve. Edhe autoritetet holandeze nuk kishin konfirmuar nëse po zhvillohej një hetim paralel ndaj tyre ose ndaj kompanisë Geogenix.
Akuzat ndaj personave të përmendur mbeten objekt hetimi. Ata konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
