Edhe pas rritjeve të vazhdueshme, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet ndër të të ulëtat në Europë në vlerë nominale, por sërish e fundit sipas fuqisë blerëse, sipas një renditjeje të fundit që ka bërë instituti Europian i Statistikave, Eurostat.
Megjithëse në renditjen e fundit, Shqipëria ia ka kaluar Maqedonisë së Veriut, për pagën minimale në vlerë, kur renditet sipas fuqisë blerëse, ajo kalon sërish në vend të fundit (shiko grafikun sipas fuqisë blerëse).
Grafiku i publikuar nga Eurostat tregon diferencë relativisht të lartë kur matet sipas standardeve të fuqisë blerëse (PPS) për pagën minimale në Shqipëri, me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Eurostat i krahason pagat minimale bruto të zbatueshme më 1 korrik 2024, pas përshtatjes së tyre me diferencat e çmimeve midis vendeve.
Kjo bëhet duke përdorur barazinë e fuqisë blerëse (PPP) për shpenzimet e konsumit final të familjeve. Siç mund të pritej, ky rregullim redukton dallimet ndërmjet vendeve. Paga minimale e matur sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) në Shqipëri është më e ulëta në Europë dhe midis vendeve kandidate me 556 PPS. Më e larta nga vendet kandidate është në Turqi, me 919 PPS, e ndjekur nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe në fund Shqipëria.
