Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen prej ditësh kundër projektit turistik në Zvërnec, duke ndarë në rrjetet sociale disa nga pankartat dhe mesazhet e përdorura nga protestuesit.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ironizoi atë që e quajti “revolucioni imagjinar i flamingove”, ndërsa vlerësoi kreativitetin e qytetarëve në hartimin e pankartave dhe memeve që qarkullojnë në rrjet.
Kreu i qeverisë tha se, ndonëse nuk pajtohet me akuzat dhe kritikat e drejtuara ndaj projektit, e konsideron interesant dhe argëtues kreativitetin e shfaqur nga protestuesit në mënyrën e komunikimit të mesazheve të tyre.
“Rroftë mememania. Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove. Aq sa më ngjallin keqardhje fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve”, shkroi Rama.
Ai shtoi se disa prej materialeve që i kanë tërhequr më shumë vëmendjen nuk mund t’i publikojë për shkak të përmbajtjes së tyre, ndërsa këmbënguli se debati rreth projektit po shoqërohet me keqkuptime dhe shqetësime që, sipas tij, nuk përputhen me realitetin.
Rama ritheksoi se projekti në Zvërnec do të sjellë transformim dhe zhvillim të mëtejshëm për vendin, duke kundërshtuar pretendimet e ngritura nga aktivistët dhe protestuesit lidhur me ndikimin e tij në zonat e mbrojtura.
Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër projektit vijojnë në disa qytete të Shqipërisë dhe kanë gjetur mbështetje edhe te komunitetet shqiptare jashtë vendit.
