Prokuroria zbardh ngjarjen tragjike në Korçë: Autori qëlloi i pari, efektivi Enea Mekolli nuk arriti të hapte zjarr

Data

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ngjarjen e rëndë në malin e Bodesë, ku humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Sipas Prokurorisë, autori i dyshuar, Violand Braçellari, ka qëlluar i pari ndaj forcave të policisë gjatë operacionit për kapjen e tij.

43-vjeçari është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” në ambientet e Spitalit të Traumës, ku po trajtohet që prej plagosjes gjatë operacionit të 4 qershorit. Gjatë seancës gjyqësore, Braçellari ka refuzuar të japë shpjegime për ngjarjen, duke folur vetëm për një dënim të mëparshëm për kultivim të lëndëve narkotike.

Sipas dosjes hetimore, operacioni policor u organizua pas denoncimit të një 32-vjeçari, i cili pretendoi se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë nga Braçellari. Bazuar në informacionet e siguruara, forcat e policisë ndërmorën një aksion për arrestimin e tij në zonën ku qëndronte pranë stallave të bagëtive.

Prokuroria bën me dije se në momentin kur policia po kryente rrethimin e zonës, Braçellari hapi zjarr ndaj efektivëve. Nga sulmi mbeti i vrarë Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, autori tentoi të largohej, por u neutralizua dhe u arrestua i plagosur disa metra larg vendit të ngjarjes.

Një nga detajet më domethënëse të hetimit lidhet me armën e shërbimit të efektivit të ndjerë. Sipas ekspertizës paraprake, arma automatike e Enea Mekollit u gjet me 30 fishekë, ku 29 ndodheshin në karikator dhe një në folenë e armës, çka tregon se ai nuk arriti të qëllonte asnjë plumb gjatë sulmit të papritur.

Ndërkohë, arma e efektivit të plagosur Edison Adri rezulton të jetë përdorur gjatë përplasjes, pasi në karikator u gjetën më pak fishekë dhe grupi hetimor konstatoi se prej saj ishte kryer qitje.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar armë, gëzhoja, mostra biologjike dhe prova të tjera materiale, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertimeve të mëtejshme. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe Policinë e Shtetit.

Për akuzat e ngritura, përfshirë vrasjen e një punonjësi policie, tentativën për vrasjen e një efektivi tjetër dhe armëmbajtjen pa leje, Violand Braçellari rrezikon një dënim që mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related