Kryeministri Edi Rama ka përdorur tone ironike ndaj opozitës gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërsa komentoi zhvillimet politike të fundit dhe debatin për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te përplasjet politike mes deputetëve në Kuvend, duke përmendur deputeten socialiste Zegjine Çaushi dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Kreu i qeverisë ironizoi situatën duke thënë se Bardhi është “burri i parë në historinë e Evropës” që sipas tij është marrë në mbrojtje nga Komiteti i Helsinkit, pas akuzave dhe debatit politik me deputeten Çaushi.
“Megjithëse Gazin e Zegjinës, burri i parë në historinë e Evropës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë, mëshirë Zegjine,” u shpreh Rama me ironi gjatë fjalës së tij.
Deklarata e kryeministrit vjen në një klimë të tensionuar politike, ku debatet mes shumicës dhe opozitës janë ashpërsuar si në Kuvend ashtu edhe në deklaratat publike.
