Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konferencë të paparalajmëruar për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ku u ndal kryesisht te çështja e pronësisë së tokave në Zvërnec dhe verifikimet që po kryhen nga organet e drejtësisë.
Rama deklaroi se ka pasur një zhvillim pozitiv në procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në zonën ku parashikohet investimi strategjik, duke theksuar se po punohet për sqarimin e plotë të origjinës së fondeve të përdorura në këtë transaksion.
Sipas tij, investitorët që kanë blerë pronën po i nënshtrohen të gjitha procedurave të verifikimit financiar dhe ligjor, ndërsa autoritetet po analizojnë dokumentacionin përkatës. Kryeministri vlerësoi gjithashtu si pozitiv faktin që Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të mbajë të ngrira fondet e transaksionit deri në përfundimin e hetimeve dhe verifikimeve.
“E konsideroj shumë pozitive që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet, pa i lejuar ato të kalojnë te shitësi deri në sqarimin e plotë të çështjes”, u shpreh Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur debati publik për projektin në Zvërnec është intensifikuar, mes protestave të aktivistëve, kundërshtarëve të projektit dhe përplasjeve politike mbi zhvillimin e zonës dhe çështjen e pronësisë së tokave.
