Në një zhvillim të befasishëm për politikën shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha janë akuzuar për arritjen e një marrëveshjeje të fshehtë mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ky “pazar” i dyshuar ka ngjallur reagime të forta nga partitë e vogla, të cilat tani kërkojnë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të anuluar ndryshimet e bëra.
Në një shpërthim të papritur, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), Dashamir Shehi ka goditur dje gjatë një prononcimi për mediat krerët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike me akuza të rënda, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një manovër për të kontrolluar dhe manipuluar sistemin zgjedhor në favor të tyre.
Detajet
Konkretisht para se zgjedhjet të trokasin, ndryshimet në kodin elektoral duhet që më parë të kalojnë testin e Gjykatës Kushtetuese. Të vegjlit kanë shtrënguar radhët dhe kanë mbledhur firmat për të goditur marrëveshjen e dy partive të mëdha PS-PD në Kushtetuese. “Ky është ligji më i keq dhe më antidemokratik. Politikën shqiptare e ka dëmtuar marrëveshja e 2008-ës dhe kjo është një shtesë e asaj dhe shtesa më e keqe. Unë e kam firmosur dje, janë dhe disa kolegë të tjerë deputet si Alibeaj dhe të tjerë.
Deri ditën e premte do të dorëzohet për t’i shkuar deri në fund kësaj historie”, shprehet Dashamir Shehi. Dakordësia mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike parashikon që në parlamentin e pranverës 100 deputetë të ulen si preferencë e kryetarit ndërkohë vetëm 40 të jenë zgjedhje e qytetarëve. Shehi shton: “Kjo është mbyllje definitive e listës. Ndryshimi që pretendojmë ne është ky, Gjykata Kushtetuese ta quajë jo kushtetuese këtë marrëveshje që u mbyll derën partive që duan ta hapin listën.
PD dhe PS ta mbyllin për veten e vetë, por partitë e tjera të kenë të drejtën ta hapin listën”. Për Kodin Elektoral si kryetar partie, Dashamir Shehi mund të vërë direkte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese pa pasur nevojë për firma deputetësh. Megjithatë në këtë betejë për hapjen e listave kreu i LZHK-së ka me vete dhe deputetë të cilët nuk janë dakord me paktin mes PS dhe PD.
Reagojnë ekspertët
Nga ana tjetër, avokati Rezart Kthupi gjatë një prononcimi mediat ka bërë dje me dije se sot në ora 10.00 do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë e nënshkruar nga kryetari i LZHK Dashamir Shehi për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor. Ai shton se kjo kërkesë padi ka për qëllim të provojë përpara gjykatës të gjitha shkeljet ligjore që janë kryer për shndërrimin në ligj të një marrëveshje politike që synon kufizimin dhe zvogëlimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
“Nesër në ora 10.00 do të depozitojmë në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë e nënshkruar nga kryetari i LZHK Dashamir Shehi për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor. Kjo kërkesë padi ka për qëllim të provojë përpara gjykatës të gjitha shkeljet ligjore që janë kryer për shndërrimin në ligj të një marrëveshje politike që synon kufizimin dhe zvogëlimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve. Lista e kandidatëve për deputetë duhet t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve dhe jo vullnetit të kryetarëve, ajo duhet të jetë lista e përfaqësuesve të qytetarëve dhe jo e kryetarëve.
Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë duhet të përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe jo ato të kryetarëve. Listat e hapura dhe e drejta e qytetarëve për të përzgjedhur deputetët që i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë është mundësia më e mirë që një sistem politik i ngurtësuar, ku gjithçka lind dhe vdes nën hijen e kryetarit, të çlirohet e të jetë në funksion të interesave të qytetarëve e jo të kryetarëve, të interesave të Shqipërisë e jo të partisë. Shqipëria është e para”, deklaroi dje Kthupi.
