Berisha fton qytetarët në protestë: Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për më 24 janar, e cila do të mbahet përpara Kryeministrisë në Tiranë.

Gjatë një takimi me demokratët, Berisha u shpreh se opozita është e vendosur të rikthejë votën e lirë dhe të largojë qeverinë aktuale nga pushteti.

“Ju falënderoj për këtë pritje dhe për ndërhyrjet tuaja. Ju garantoj se Partia Demokratike do të përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës”, deklaroi Berisha.

Ai u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që të derdhen në Tiranë për të treguar vendosmërinë e tyre kundër qeverisë, duke theksuar se PD ndodhet në një proces të rëndësishëm ripërtëritjeje politike.

“Sot jemi në një proces të rëndësishëm të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin tonë: përmbysjen e diktaturës së dytë dhe rikthimin e demokracisë në Shqipëri”, u shpreh ai.

Në përfundim, Berisha falënderoi mbështetësit dhe theksoi se protesta e 24 janarit do të jetë një moment kyç për opozitën dhe për të ardhmen politike të vendit.

“Rrofshi ju, rroftë Lezha, rroftë Shqipëria”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related