“Qeveria teknike është zgjidhja” – Noka pas lirimit të protestuesve: Policia sillet si bandë, protestat nuk ndalen

Data

Pas lirimit të katër protestuesve të arrestuar gjatë tubimit të 22 dhjetorit, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj Policisë së Shtetit dhe qeverisë, duke deklaruar se “policia sillet si bandë politike kundër qytetarëve”.

Në një prononcim për mediat, Noka tha se reagimi i forcave të rendit tregon panikun e qeverisë përballë revoltës qytetare, ndërsa theksoi se protestuesit kanë dalë në shesh për të kundërshtuar korrupsionin dhe kartelet që, sipas tij, kanë kapur shtetin.

Sipas Nokës, ndërkohë që qytetarët protestonin dhe disa prej tyre përfunduan në qelitë e komisariateve të akuzuar si destabilizues, persona të lidhur me pushtetin lëviznin lirshëm dhe të mbrojtur. “Ky është realiteti i një regjimi që përdor policinë për të frikësuar qytetarët dhe për të mbrojtur bandat e veta,” u shpreh ai.

Deputeti i PD-së deklaroi se protestat e nisura më 22 dhjetor nuk do të ndalen dhe se opozita është e vendosur ta çojë këtë betejë deri në fund. Sipas tij, zgjidhja e vetme për daljen nga kriza politike është krijimi i një qeverie teknike.

“Qeveria teknike është zgjidhja dhe ne nuk do të ndalemi. Protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kësaj qeverie. Shqiptarët nuk pranojnë narkosin, babëzinë dhe korrupsionin në pushtet,” deklaroi Noka, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të ketë protesta të tjera.

Ai theksoi se opozita do të vijojë të mbështesë çdo formë proteste paqësore dhe se presioni qytetar do të rritet, derisa, sipas tij, vendi të çlirohet nga regjimi aktual.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related