Qeveria propozon ndryshime ligjore për “Durana Tech Park”, opozita: park “fantazmë” që favorizon kompani të lidhura me skandalet e AKSHI-t

Data

Një projektligj për ndryshimin e ligjit të vitit 2022 mbi parqet teknologjike dhe shkencore ka ndezur debat politik, pasi parashikon për herë të parë funksionimin e tyre edhe në formë virtuale. Nisma, e depozituar nga deputeti socialist Ramion Kurti, është miratuar në dy komisione parlamentare.

Ndryshimet ligjore vijnë në një kohë kur parku teknologjik “Durana Tech”, i planifikuar për t’u ndërtuar në Xhafzotaj të Durrësit, nuk ekziston fizikisht, ndërsa aktiviteti i tij ka nisur në mënyrë virtuale. Sipas dispozitave të reja, kompanitë mund të operojnë në park edhe në distancë, përmes marrëveshjeve me institucionet përgjegjëse.

Megjithëse nuk është ndërtuar ende infrastruktura fizike, shoqëria që menaxhon parkun ka regjistruar dhjetëra kompani si pjesë e tij. Autoritetet e parkut pretendojnë se këto kompani nuk kanë përfituar ende nga lehtësitë fiskale të parashikuara, të cilat përfshijnë përjashtime nga tatimi mbi fitimin dhe mbi pagat për disa vite.

Nga ana tjetër, opozita ka ngritur shqetësime të forta për ligjshmërinë dhe transparencën e projektit. Deputetë të Partisë Demokratike e kanë cilësuar parkun si “fantazmë”, duke argumentuar se po krijohet një model që favorizon kompani të caktuara dhe deformon konkurrencën në tregun e teknologjisë së informacionit.

Sipas tyre, mungon një analizë e ndikimit në buxhet dhe ekziston rreziku i shkeljes së parimeve të konkurrencës së ndershme. Gjithashtu, janë ngritur dyshime për lidhje të disa kompanive të regjistruara në park me tendera publikë dhe hetime të mëparshme.

Përfaqësuesit e parkut dhe të institucioneve shtetërore i kanë hedhur poshtë akuzat për favorizim, duke deklaruar se çdo kompani që plotëson kriteret mund të bëhet pjesë e parkut dhe se procesi është i hapur dhe jo diskriminues.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se kur dhe nëse do të ndërtohet parku fizik, pasi drejtuesit e projektit theksojnë se kjo do të varet nga nevojat e kompanive dhe zhvillimi i mëtejshëm i iniciativës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related