Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë foltores së mbajtur në zonën e Kombinatit në Tiranë, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një regjim që sillet ndaj qytetarëve dhe pasurive të tyre “si një pushtues i keq”.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se qytetarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga një qeveri që, sipas tij, përdor buxhetin dhe pasuritë publike për interesa të ngushta dhe jo për mirëqenien e shqiptarëve. Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet një forcë që mbron interesin kombëtar dhe vlerat themelore të demokracisë.
Berisha u ndal edhe te mbështetja ndërkombëtare për opozitën, duke deklaruar se shtatë rezoluta të miratuara nga forca politike simotra në Europë dhe më gjerë kanë denoncuar qeverisjen e Ramës, farsën elektorale dhe, sipas tij, lidhjet e pushtetit me krimin dhe narkotrafikun. Këto rezoluta, sipas Berishës, përbëjnë një provë të qartë se problemi i Shqipërisë nuk është vetëm i brendshëm, por tashmë i evidentuar edhe në arenën ndërkombëtare.
Ai i bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të mos dorëzohen, duke theksuar se “geni i demokratëve është geni i njerëzve të pamposhtur” dhe se historia ka treguar se ata kanë ditur ta kthejnë të pamundurën në të mundur. Sipas Berishës, pavarësisht presioneve, izolimit dhe sulmeve politike, PD ka qëndruar e palëkundur në mbrojtje të të vërtetës dhe të interesit publik.
Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se largimi masiv i të rinjve nga vendi, taksat e larta dhe keqmenaxhimi i pasurive kombëtare janë pasojë direkte e kësaj qeverisjeje, duke shtuar se ndryshimi është i domosdoshëm dhe se opozita do të vijojë betejën për ta realizuar atë.
