Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai ka tentuar të kapë dhe të korruptojë opozitën shqiptare, me synimin për ta shndërruar atë në një fasadë pa zë dhe pa rol real politik.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike është një forcë që ka ndarë epoka dhe sisteme, duke u ndërtuar mbi parimet e interesit kombëtar, dinjitetit njerëzor dhe lirive themelore të qytetarëve. Ai kujtoi se në momentet më të vështira për çështjen kombëtare shqiptare, PD guxoi ta shpallë atë si boshtin kryesor të programit të saj politik, në një kohë kur, sipas tij, të tjerët e kishin braktisur.
Berisha deklaroi se Rama, në mënyrën më makabre, kishte vendosur të asgjësonte opozitën duke tentuar ta kapte që nga kreu, ta korruptonte dhe ta kthente në një vegël të pushtetit të tij. Sipas tij, kjo u shoqërua me lobime dhe presione të vazhdueshme, edhe pse ai vetë kishte tetë vite pa mbajtur asnjë funksion zyrtar, me qëllimin e vetëm për të shuar zërin e vërtetë opozitar në vend.
Kreu i PD-së vlerësoi qëndrimin e demokratëve, të cilët, sipas tij, në një moment kritik bënë një zgjedhje historike, duke u rreshtuar me të vërtetën dhe jo me interesat e pushtetit. Ai theksoi se pavarësisht shantazheve, mashtrimeve dhe privacioneve, ata refuzuan që idealet e lirisë dhe dinjitetit të tregtoheshin apo të ktheheshin në mall politik.
Në përfundim, Berisha u shpreh se kjo qëndresë është arsyeja pse Partia Demokratike nuk u mposht dhe nuk do të mposhtet kurrë, duke shtuar se çdo herë që rrëzohet, ajo ringrihet më e fortë, sepse mbështetet në vlera dhe jo në pazare pushteti.
