Presidenti Donald Trump tha se si Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskiy shprehën dëshirën për paqe, gjatë telefonatave të veçanta që patën me të dhe se zoti Trump ka urdhëruar zyrtarët më të lartë amerikanë që të nisin bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Komunikimet telefonike u zhvilluan pasi, më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga objektivi për anëtarësim në NATO dhe përpjekja që të kthehet në kufijtë e vitit 2014. Ai i bëri komentet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin e parë të tij në NATO.
Pasi bisedoi me zotin Putin për më shumë se sa një orë, zoti Trump tha se udhëheqësi rus, i cili nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, mbështet dhënien fund të luftës dhe se ata kishin diskutuar për “arritjen e një armëpushimi në një të ardhme jo shumë të largët”.
“Ai do që lufta të marrë fund. Ai nuk do që lufta të ndërpritet dhe luftimet të rikthehen sërish pas 6 muajsh”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj se jemi në rrugën drejt arritjes së paqes. Mendoj se Presidenti Putin do paqe, Presidenti Zelenskiy do paqe, unë dua paqe. Thjesht dua që të mos shoh më njerëz të vriten”, shtoi Presidenti amerikan.
