Shtrenjtimi i naftës po ndikon më fort në Shqipëri sesa në shumicën e vendeve europiane, duke rënduar drejtpërdrejt ekonominë dhe buxhetin e familjeve.
Në muajin mars, çmimi i naftës në vend u rrit me rreth 30%, duke arritur në 224 lekë për litër, si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme që çoi çmimin e naftës Brent mbi 100 dollarë për fuçi.
Arsyeja e parë: Çmime të larta dhe taksa të rënda
Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në botë në vlerë absolute, por edhe më e rëndë në raport me të ardhurat. Një pjesë e madhe e çmimit përbëhet nga taksat, që arrijnë rreth 53% të çmimit final për litër – shumë më lart se në vendet e rajonit.
Kjo bën që një qytetar shqiptar të paguajë gati dyfish më shumë për naftë krahasuar me fqinjët, në raport me fuqinë blerëse.
Arsyeja e dytë: Varësia nga makinat me naftë
Një faktor tjetër kyç është struktura e flotës së automjeteve. Rreth 70% e makinave në Shqipëri përdorin naftë, një nga nivelet më të larta në Europë.
Ndërkohë, në Bashkimi Europian pesha e makinave me naftë është në rënie, ndërsa po rritet përdorimi i benzinës dhe mjeteve elektrike. Në Shqipëri, automjetet elektrike përbëjnë vetëm rreth 1.3% të totalit.
Efekti në ekonomi
Për shkak të kësaj varësie, çdo rritje e çmimit të naftës përhapet në gjithë ekonominë: rriten kostot e transportit, shtrenjtohen produktet bazë dhe bie fuqia blerëse e qytetarëve.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse trendi vazhdon, mund të ketë rënie të konsumit dhe rrezik për ngadalësim ekonomik.
Masat dhe sfidat
Masat e ndërmarra deri tani, si ulja e akcizës me 20% dhe ndërhyrjet e Bordit të Transparencës, kanë pasur efekt të kufizuar, duke amortizuar vetëm një pjesë të rritjes së çmimit.
Në një ekonomi ku konsumi përbën pjesën më të madhe të aktivitetit ekonomik, shtrenjtimi i karburantit mbetet një nga sfidat më të mëdha për stabilitetin financiar të familjeve dhe bizneseve.
