Paratë që emigrantët dërgojnë drejt familjeve të tyre në Shqipëri vijojnë të rriten, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni dhe lidhjet e forta ekonomike që shqiptarët jashtë vendit vazhdojnë të mbajnë me atdheun.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, remitancat arritën në 817 milionë euro gjatë periudhës janar–shtator 2025, duke shënuar një rritje prej 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tremujori i tretë me rritje të fortë
Rritja e remitancave u përshpejtua dukshëm në tremujorin e tretë të vitit, periudhë kur emigrantët zakonisht vizitojnë vendin gjatë pushimeve. Vetëm në korrik–shtator 2025, prurjet financiare arritën në 285 milionë euro, ose 8.8% më shumë se një vit më parë.
Trendi konfirmon varësinë e ekonomisë shqiptare nga paratë që dërgojnë emigrantët, veçanërisht në muajt e verës kur flukset rriten ndjeshëm.
Një trend rritës që prej vitit 2013
Që prej vitit 2013, remitancat kanë qenë në rritje të vazhdueshme, si pasojë e një vale të re emigracioni që nisi kryesisht pas vitit 2015.
Përjashtim bëri vetëm viti 2020, kur pandemia solli një rënie të përkohshme të prurjeve.
Në 9 muajt e parë të vitit 2024, për herë të parë u kapë shifra mbi 800 milionë euro, ndërsa me ritmet aktuale, 2025 pritet të mbyllet me një tjetër rekord: përtej 1 miliard euro remitanca brenda vitit.
Emigracioni i viteve të fundit, burim i qëndrueshëm i remitancave
Të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm gjatë viteve 2022–2023 janë dhënë 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e BE-së.
Që prej vitit 2008, këtë status e kanë marrë rreth 920 mijë shqiptarë, duke përbërë një potencial të madh për dërgimin e të ardhurave drejt familjeve në Shqipëri.
Sipas aktorëve të tregut, flukset më të mëdha vazhdojnë të vijnë nga Greqia dhe Italia, por vitet e fundit janë rritur ndjeshëm edhe remitancat nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Si llogariten remitancat?
Remitancat regjistrohen nga Banka e Shqipërisë në llogarinë korrente të bilancit të pagesave, sipas standardeve ndërkombëtare të FMN-së (BPM6).
Ato përfshijnë të gjitha prurjet që shqiptarët jashtë vendit dërgojnë për familjet në Shqipëri:
- Përmes kanaleve formale: banka, institucionet financiare, operatorët e transfertave.
- Përmes kanaleve informale, të vlerësuara nëpërmjet anketave të posaçme tek familjet përfituese.
Qëllimi është kapja sa më e saktë e të gjithë fluksit real të parave që injektohen në ekonomi nga emigrantët.
