Pse Putini i thotë “jo” planit të fundit të paqes: Analiza që zbulon dy arsyet kryesore të refuzimit të Kremlinit

Data

Mikpritje luksoze, por ditë e keqe për paqen

Që në fillim të vizitës së delegacionit amerikan në Moskë, shenjat nuk premtonin mirë për një marrëveshje paqeje, shkruan “Sky News”. I dërguari special i Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner, u trajtuan si VIP: autokolonë nga aeroporti, drekë në një restorant me yje Michelin dhe madje një shëtitje në Sheshin e Kuq.

Me pak fjalë, pamja ishte më shumë si një tur turistësh elitarë sesa si një mision i vështirë diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, pas kësaj fasade mikpritjeje, thelbi ishte krejt tjetër: pas rreth një orë e gjysmë përgatitjesh nga ana e Vladimir Putinit dhe pesë orë bisedimesh, u bë e qartë se objektivi kryesor – miratimi nga Rusia i versionit të fundit të planit të paqes të mbështetur nga SHBA – nuk ishte i arritshëm.

Fajtore Evropa, të privilegjuar amerikanët

Sipas analizës së “Sky News”, Putin u përpoq që paralelisht me vizitën e delegacionit amerikan të vendoste kornizën e fajit: Evropa.

Ndërsa Witkoff dhe Kushner po shijonin drekën, presidenti rus akuzonte publikisht aleatët evropianë të Ukrainës se po pengonin procesin e paqes duke shtyrë përpara kërkesa “të papranueshme për Rusinë”.

Në kontrast me tonin e ashpër ndaj BE-së, ndaj amerikanëve kishte vetëm buzëqeshje dhe mikpritje. Kjo, sipas “Sky News”, është pjesë e strategjisë ruse për të larguar SHBA-në nga aleatët e saj të NATO-s dhe për ta afruar Uashingtonin më shumë me Moskën.

Arsyeja e parë: Putini mendon se po fiton në fushën e betejës

Sipas analizës, një nga arsyet kryesore pse Putin nuk sheh arsye të pranojë planin më të fundit të paqes është bindja e tij se Rusia po fiton në terren.

Moska dëshiron rikthimin te plani 28-pikësh, i cili pasqyronte kërkesat dhe kushtet që i favorizonin më shumë interesat e saj. Kremlini beson se zhvillimet e fundit ushtarake i japin të drejtë që të kërkojë kthimin te ai dokument dhe jo të pranojë një version të modifikuar, më të balancuar.

Nuk është rastësi, vëren “Sky News”, që pak para mbërritjes së delegacionit amerikan në Moskë, Rusia njoftoi kapjen e Pokrovskut, një objektiv strategjik në rajonin e Donetskut. Ky veprim u lexua si një mesazh politik: Rusia ruan iniciativën ushtarake dhe, për pasojë, nuk ka arsye të zbusë kërkesat e saj në tryezën e negociatave.

Arsyeja e dytë: Putini beson se interesat e SHBA-së dhe Rusisë mund të afrohen

Arsyeja e dytë, sipas analizës së “Sky News”, lidhet me mënyrën se si Putin e lexon qëndrimin amerikan.

Sipas kanalit britanik, presidenti rus është i bindur se Moska dhe Uashingtoni, në thelb, duan të njëjtën gjë: rikthim të marrëdhënieve më të ngushta SHBA–Rusi, gjë që, në sytë e tij, mund të vijë vetëm pasi të mbyllet kapitulli i luftës në Ukrainë në kushte të favorshme për Rusinë.

“Sky News” vëren se në disa momente të këtij procesi, SHBA-ja është dukur se ka qëndruar më afër pozicioneve ruse sesa atyre ukrainase. Vetë mënyra si po zhvillohen negociatat shihet si shembull:

  • Ukrainasit po detyrohen të udhëtojnë te amerikanët – fillimisht në Gjenevë, më pas në Florida.
  • Nga ana tjetër, amerikanët shkojnë vetë në Moskë, durojnë pritje të gjata dhe marrin trajtim protokollar luksoz për t’u takuar me Putinin.

Kjo krijon përshtypjen se, nga këndvështrimi rus, Uashingtoni është më i prirur të qetësojë Moskën sesa t’i bëjë presion.

Ukrainasit nën presion, Zelensky me pak shpresë

Analiza thekson se SHBA po përpiqet të shtyjë Kievin drejt kompromisit, duke e vendosur Ukrainën në pozitën e palës që duhet të “shkojë tek të tjerët” dhe jo anasjelltas.

Në këtë kontekst, “Sky News” vlerëson se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pak arsye për optimizëm, pasi balanca e presionit diplomatik dhe simbolik duket të anojë në favor të Moskës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related