PS dhe Rithemelimi arrijnë marrëveshjen, bien dakord për dy komisione hetimore dhe Nënkomision për “Reformat”, Bardhi-Spiropali mbrojnë pazarin me Berishën, amnistohet Rama

Data

Për herë të parë, pas rreth 5 muajsh kaos në Kuvend, Rithemelimi është ulur në tryezën e Konferencës së Kryetarëve përballë deputetëve të mazhorancës. Pas mbledhjes së grupit, Rithemelimi mandatoi Gazment Bardhin për negociatat me Partinë Socialiste. Dakordësia e parë në parim mes Socialistëve dhe Rithemelimi u arrit për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS, ndërsa tjetri për 4 koncesionet e sterilizimit në Shëndetësi. Por e gjitha duket se ka përfunduar në flluskë sapuni, pasi me paktin e arritur sot, i vetmi i fituar është Edi Rama. Opozitës i janë refuzuar 8 komisione hetimore në vitet e fundit, ndërsa Bardhi me Çuçin ranë dakord që të pranohen vetëm 2 kërkesa, për çështje që nuk e lodhin fare qeverinë. Dy komisione praktikisht pa shumë vlerë. Koncesionet në shëndetësi janë duke u hetuar nga SPAK. Sa i takon TIMS është një sistem sekret dhe me shumë gjasë qeveria nuk do japë asnjë informacion, duke zvarritur punimet e komisionit, sikundër ka ndodhur gjithmonë. Pra duket qartë se oopozita u tërhoq nga disa komisione që prekin drejtpërdrejtë Ramën. Ai i dosjes “McGonigal” për shembull. Berisha bërtet përditë nga dritarja se Rama do ketë fatin e mikut të tij, por hoqi dorë. Kemi investimet strategjike, që është afera më e madhe e kësaj qeverie dhe duhej hetuar me themel. Kemi padyshim aferën me portin e Durrësit, ku ju dha arabëve dhe punimet nuk kanë nisur. Për edhe në këto raste Rithemelimi u tërhoq dhe u mjaftua me një kockë. Po ashtu siç mëson gazeta “SOT” me burime është rëndë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Bledi Çuçi – 2 cakton Gazment Bardhi). Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Reagon Bardhi

Ndërkohë Gazment Bardhi ka folur pas negociatave me PS, ku theksoi se është rënë dakord në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore për koncesionet në shëndetësi dhe ndërhyrjet në sistemin TIMS. Po ashtu, Bardhi tha se do ngrihet edhe një nënkomision për Reformat, që do diskutojë çdo reformë që kërkon gjithë përfshirje dhe konsensus, përfshirë këtu Reformën Zgjedhore. Bardhi theksoi se është një lajm i mirë që mazhoranca ka reflektuar. Bardhi tha se nesër kur të mblidhet sërish Konferenca e Kryetarëve dhe të shpallë ngritjen e komisioneve do të shpallin edhe nëse do zgjidhet bllokimi i punës në Kuvend. Po ashtu, Gazment Bardhi thotë se nuk do të jetë anëtar i nënkomisionit për ‘Reformat’. Bardhi zbuloi se Oerd Bylykbashi do jetë një nga anëtarët, ndërsa deputeti tjetër do caktohet nga grupi i Rithemelimit. “Që do jetë Bylykbashi s’ka asnjë diskutim, anëtarin e dytë do e caktojë grupi, unë po deklaroj që s’do jem”, deklaroi Bardhi. Duke u ndalur tek komisioni i Reformës Zgjedhore, Bardhi tha: “Komisioni i Posaçëm skadon me 21 mars. Struktura e re do të fillojë të funksionojë në seancën më të parë nëse do të arrihet dakordësia në mbledhjen nesër në Konferencën e Kryetarëve. Ishte e qartë se kishte një plan për të dështuar dhe mbajtur peng reformën zgjedhore. 0 produkt dhe 0 diskutime për çështje në interes të qytetarëve. Opozita është e interesuar. Në parim kemi rënë dakord që ky nënkomision do të diskutojë çdo reformë, që do të duhet të pasqyrojë realitetin politik në vend. Dikush që është 3 veta s’mund të thotë jam 300”.

Dakordësia me Rithemelimin, Spiropali: Nuk ka pasur negociata të fshehura

Nga ana tjetër, ministrja Elisa Spiropali e pyetur dje nga media nëse njohin de facto Rithemelimin si shumicë në Kuvend pas negociatave për kthimin në normalitet, tha për gazetarët se është një parti e marrë peng, por PS po bën detyrën e saj duke respektuar deputetët e zgjedhur nga qytetarët pavarësisht se kush e komandon. Spiropali theksoi se kjo nuk është marrëveshje me non grata. “Se çmendoj unë për non gratën nuk e them sot, tani që është i mbyllur në shtëpi. Ia kam thënë në sy në kuvend kur nuk ishte i mbyll në 20 metra katrorë të kuvendit, kjo nuk është marrëveshje as me grata as me non grata, kjo është detyra jonë që kemi bërë me përgjegjësi. Flamujt e radikalizmit ngrihen edhe për të mbuluar çështje partiake, ajo është parti e marrë peng, por deputetët janë të zgjedhur dhe ne i respektojmë. Ne njohim institucionet, deputetët, ne debatojmë me ta pavarësisht se kush është pas tyre. Unë besoj se sot jemi të gatshëm të themi që deputetët duhet të jenë në Kuvend pavarësisht çështjeve të drejtësisë që nuk zgjidhen në kuvend”, deklaroi ajo. Po ashtu, deputetja Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre e Shtetit për Parlamentin nënvizoi se komisionet hetimore do të bëhen sipas Kushtetutës. Spiropali tha se nuk ka pasur negociata të fshehta. E pyetur për rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces, Spiropali tha se s’mund të kenë presion, e shtoi se partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e kuvendit kanë thënë atë që themi ne nuk mund ti vësh zjarrin Kuvendit. “Nuk kanë munguar thirrjet tona të ulemi në tryezë. Ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë. Një instrument që u jep atyre mundësinë për të rritur kontrollin. Ri kërkesa e tyre dhe shqyrtimi i kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore ka qenë në tryezë gjithë kohës. Sa i takon marrëdhënieve tona me opozitën, fitore apo humbje s’kemi nevojë të bërtasim. Fitoret tona i përcakton vota. Nuk ka patur mes nesh negociata të fshehta, janë institucionet e Kuvendit ato që duhet të jenë ura politike. Ne nuk jemi armiq. Më vjen mirë që opozita ka arritur këtë pjekuri politike. Greva e urisë para kryeministrisë nuk na çoi askund, as bojkoti i zgjedhjeve as djegia e mandateve. As tymi as molotovi asgjë nga këta nuk e rrit besimin e te një forcë politike. Ambasadorët janë këtu për të ruajtur interesat e vendit të tyre. S’mund të ketë presion ndërkombëtarësh. Partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e kuvendit kanë thënë atë që themi ne nuk mund ti vësh zjarrin Kuvendit”, nënvizoi Spiropali.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related