Mazhoranca socialiste ka propozuar vijimin e punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative pa paritet me opozitën, pas bojkotit të vazhdueshëm të Partisë Demokratike. Kërkesa pritet të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas argumenteve të PS-së, nga katër mbledhje të njoftuara që prej krijimit të komisionit, vetëm një është zhvilluar me pjesëmarrje të plotë të opozitës, ndërsa dy mbledhje kanë dështuar për mungesë kuorumi. Socialistët theksojnë se reforma është prioritet i programit “Shqipëria 2030” dhe kërkon miratim brenda afateve, përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Propozimi parashikon ndryshim të përbërjes së komisionit në 17 anëtarë, ku 9 do të jenë nga PS, 6 nga PD, ndërsa nga një anëtar nga Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë. Po ashtu, drejtimi i komisionit do t’i kalojë mazhorancës, me kryetar nga PS dhe nënkryetar nga PD.
Sipas socialistëve, kjo formulë synon të zhbllokojë procesin dhe të mundësojë avancimin e reformës, edhe në kushtet e bojkotit opozitar.
