Avokatja Adriana Kalaja, duke analizuar zhvillimet më të fundit në lidhje me hetimet ndaj Veliajt, u shpreh dje se organi i akuzës mund të ketë në dispozicion prova të rëndësishme, por jo të gjitha paraqiten në fazën e masave të sigurimit personal. “Është një moment procedurial që SPAK mund të ketë shumë prova të qenësishme që lidhen me themelin e çështjes, por në seancat e masave të sigurimit personal çohen ato prova që arsyeton organi i akuzës që lidhen me rëndësinë e kësaj mase sigurie.
Nga informacionet që unë kam, që në krye të herës, organi i akuzës ka ngritur shqetësimin e kërkesave të vazhdueshme që ka bërë dhe kjo ka dalë edhe nga gjendja civile, që ky ka kërkuar për një periudhë shumë të gjatë kohe për Nesti Angonin, dhe duke kërkuar ky për Nesti Angonin, në mënyrë deduktive të çon në arsyetimin ligjor që ky po kërkon dëshmitarët, ky po kërkon kallëzuesit. Kjo është e para. E dyta, sipas informacioneve sot, provat e reja kanë të bëjnë kryesisht me fyerjet, shantazhet që i janë bërë sidomos prokurorit Olsi Dado, për faktin se i është thënë madje edhe në seancë gjyqtarit, kur ky, edhe në arrest me burg, në mënyrë publike arrin të formulojë këto lloj shantazhesh, fyerjesh, intimidimesh. Imagjino se çfarë mund të bëjë ky person nëse do lihet qoftë me arrest shtëpie, qoftë me detyrim paraqitjeje.
Dhe për ta mbyllur, thashë, këto janë informacione të pakonfirmuara. Edhe pjesa e denoncimit që është bërë në fund nga ana ime, i mbani mend ju dokumentet, është bërë pjesë e kërkesave të SPAK për shkak se ekziston një rrezik potencial që Erion Veliaj, qoftë në arrest shtëpie, të prishë provat”, tha ajo.
