Një protestuese nga Rrjolli mori fjalën gjatë tubimit qytetar kundër projektit në Zvërnec, duke kujtuar përplasjet e mëparshme mes banorëve dhe policisë në zonën e Rrjollit.
Ajo tha se pamjet e një të riu të tërhequr zvarrë gjatë tensioneve në Zvërnec i rikthyen në kujtesë ngjarjet e përjetuara nga banorët e Rrjollit, por theksoi se as ato dhe as ngjarjet e sotme nuk do t’i pengojnë qytetarët të mbrojnë të drejtat e tyre.
“Kur pashë atë djalin e tërhequr zvarrë në Zvërnec, mu kujtuan përplasjet me grushta me policinë në Rrjoll, por nuk na kanë penguar të mbrojmë të drejtën tonë,” u shpreh ajo.
Protestuesja theksoi se kauza e mbrojtjes së territorit dhe pasurive natyrore tejkalon interesat lokale apo personale, duke e cilësuar protestën si një angazhim qytetar në mbrojtje të vendit.
Ajo iu përgjigj gjithashtu pyetjeve mbi organizimin e protestave, duke deklaruar se vetë qytetarët janë organizatorët e këtij mobilizimi.
“Ju jeni organizatorët. Në shesh deri në kthimin e dinjitetit të këtij vendi,” tha ajo para protestuesve.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja kërkoi që partitë politike të mos përpiqen të përvetësojnë kauzën qytetare, duke theksuar se merita e protestës i takon vetëm qytetarëve që janë bashkuar në shesh.
