Protestuesit e mbledhur para godinës së Kryeministrisë në ditën e 37-të të protestave vijuan me thirrje kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit u dëgjuan slogane si “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Atdheu është i yni”, ndërsa pjesëmarrësit ritheksuan se do të vazhdojnë protestat deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Në fjalën e mbajtur para protestuesve u tha se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe gjatë sezonit veror.
“Duket se shqiptarët sivjet i kanë rezervuar pushimet në bulevard. Do të jemi këtu çdo ditë derisa ky kryeministër të largohet,” u deklarua gjatë tubimit.
Folësit u shprehën gjithashtu se, sipas tyre, qëndrueshmëria e protestës ka përcjellë një mesazh të qartë si për institucionet shqiptare, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë.
“Kjo rezistencë u ka treguar shqiptarëve, qeveritarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo qëndresë është serioze,” u tha gjatë protestës.
Organizatorët kanë bërë thirrje që protesta të vijojë në mënyrë paqësore, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit.
