Një grup protestuesish kanë kaluar edhe natën pranë godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar qëndresën e tyre që prej më shumë se një jave.
Mëngjesin e kësaj të hëne, disa prej tyre u panë të vendosur pranë pemëve përballë godinës, ku kishin improvizuar qëndrimin me karrige metalike dhe mbulesa. Në ambient ishin vendosur gjithashtu flamuri kombëtar dhe figura e flamingos, simbol që është përdorur gjatë protestave të fundit.
Protestuesit mbanin edhe pankarta me mesazhe kundër figurave kryesore të politikës shqiptare, mes tyre edhe sloganin: “Rama ik, Berisha ik!”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj të dy krahëve të politikës.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa në mbrëmje është parashikuar zhvillimi i protestës së 30-të radhazi në Tiranë.
