Gazeta austriake Der Standard i ka kushtuar një analizë debatit mbi projektet turistike të planifikuara në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke theksuar se kërkesat e protestuesve përkojnë me rekomandimet që Bashkimi Evropian i ka adresuar Shqipërisë.
Sipas artikullit, Komisioni Evropian ka kërkuar prej kohësh shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike të vitit 2015, si edhe rishikimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, duke shprehur shqetësime se këto ndryshime mund të rrezikojnë biodiversitetin dhe zonat e rrjetit Natura 2000.
Megjithatë, sipas përgjigjes së Agjencisë për Media dhe Informim të qeverisë shqiptare cituar nga Der Standard, autoritetet nuk e konsiderojnë urgjente ndryshimin e legjislacionit, duke argumentuar se përafrimi me acquis të Bashkimit Evropian duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2027 dhe se ndryshimet e vitit 2024 janë, sipas tyre, në përputhje me standardet europiane.
Artikulli vëren se qeveria nuk ka shprehur gatishmëri për të vendosur një moratorium mbi projektet e reja në zonat e mbrojtura, pavarësisht kërkesave të Parlamentit Evropian.
Në reagimin e tij për gazetën, eurodeputeti Thomas Waitz deklaron se qeveria shqiptare po krijon pengesa të panevojshme në procesin e integrimit europian, duke argumentuar se zhvillimet e planifikuara në zonën e Vjosa–Nartës bien ndesh me angazhimet e mëparshme për mbrojtjen e mjedisit.
Artikulli thekson gjithashtu se Agjencia për Zhvillimin e Territorit i ka konfirmuar gazetës se kompanisë përgjegjëse për projektin në Zvërnec i janë miratuar një leje zhvillimi dhe një leje ndërtimi për infrastrukturën fillestare të projektit, ndërsa mbetet e hapur mënyra se si Bashkimi Evropian do të reagojë ndaj zhvillimeve të fundit.
Në përfundim, Der Standard citon edhe organizatën mjedisore Eco Albania, e cila argumenton se zhvillimet e planifikuara do të ndryshonin karakterin e zonës së mbrojtur, ndërsa shpreh zhgënjim për mënyrën se si po trajtohet çështja në procesin e integrimit europian.
