“Protestë jo për pushtet, por për dinjitet!” – Tomor Alizoti thirrje qytetarëve: Të dalim në shesh e t’u themi s’jemi si ju! Fundi i trafikantëve dhe hajdutëve po vjen

Data

Një ditë përpara protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike përpara Kryeministrisë, deputeti Tomor Alizoti u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në shesh.

Në një reagim publik, Alizoti thekson se protesta e nesërme nuk ka të bëjë me pushtetin politik, por me dinjitetin qytetar. Sipas tij, ajo është një përgjigje ndaj korrupsionit, arrogancës dhe kapjes së shtetit nga një elitë që, siç shprehet ai, po përpiqet të normalizojë vjedhjen dhe padrejtësinë.

Deputeti demokrat ndalet edhe te dalja e fundit mediatike të kryeministrit, duke e cilësuar si një ligjëratë të vetmuar dhe të dëshpëruar, që sipas tij tregon se kreu i qeverisë nuk ka ndërmend të tërhiqet, por është i gatshëm të tërheqë zvarrë edhe partinë e tij në “hendekun e turpit ku është zhytur vetë”.

“Dalja e tij e fundit e tregoi qartë: ai nuk do të largohet. Përkundrazi, është gati të fundosë gjithçka për të shpëtuar veten”, shprehet Alizoti.

Ai thekson se nesër qytetarët duhet të dalin në shesh për t’i treguar qeverisë se nuk janë të gjithë njësoj dhe se nuk pranojnë të barazohen me korrupsionin dhe krimin.

“Protesta e nesërme nuk është për pushtetin e opozitës, por për dinjitetin tonë. Për t’i treguar se vetëm një grusht njerëzish përfitojnë nga trafiku, korrupsioni dhe hajdutëria. Shqipëria është e varfër, por nuk duhet të jetë kurrë e nëpërkëmbur”, shprehet deputeti.

Alizoti i bën thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë dhe ta shndërrojnë protestën në një mesazh të fortë kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

“Nesër është dita e dinjitetit. Dita për të dalë në shesh dhe për të thënë qartë: nuk jemi si ju. Nuk pranojmë të na shkelni. Fundi i trafikantëve dhe hajdutëve po vjen”, përfundon ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related