Një formë e pazakontë proteste është zhvilluar në Pogradec, ku një lokal ka vendosur të mos presë klientë dhe të ironizojë rregullin e qeverisë për kufizimin e muzikës live dhe nivelit të zhurmës.
Në vend të muzikantëve, në ambientet e lokalit janë vendosur tre gra, të cilat simbolikisht kanë “zëvendësuar” muzikën me aktivitete të përditshme, si një mënyrë për të treguar se, sipas tyre, muzika tashmë është “varur në mur”.
Protesta lidhet me rregullin që kufizon muzikën live deri në orën 00:00 dhe vendos një tavan zhurme prej 85 decibelësh. Sipas pronarëve dhe punonjësve të biznesit, ky kufizim po ndikon drejtpërdrejt në organizimin e dasmave dhe eventeve festive.
“Na ka zënë halli, as dasmat nuk i bëjmë dot,” shprehet një prej grave, duke shtuar se kufizimet po e bëjnë të vështirë vazhdimin e aktivitetit normal të bizneseve të këtij sektori.
Operatorët turistikë dhe bizneset lokale argumentojnë se masa të tilla ndikojnë negativisht edhe te turistët dhe vizitorët, të cilët kërkojnë argëtim dhe atmosferë gjatë sezonit.
Kjo protestë simbolike vjen si reagim ndaj rregullave në fuqi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë një rishikim të tyre nga autoritetet përkatëse.
