Debati për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës ka përshkallëzuar tensionet politike në Maqedonia e Veriut, pasi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, reagoi ashpër ndaj protestave të studentëve shqiptarë.
Deklarata e ministrit erdhi pasi partitë shqiptare pjesë e qeverisë maqedonase deklaruan se provimet e jurisprudencës për studentët shqiptarë do të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe.
Megjithatë, Filkov e cilësoi debatin si një përpjekje për presion politik dhe nxitje të tensioneve etnike.
“Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se përdorimi i gjuhës maqedonase është detyrim ligjor dhe përpjekjet për ta paraqitur këtë si diskriminim përbëjnë, sipas tij, “manipulim të rrezikshëm të opinionit publik”.
Sipas Igor Filkov, gjuha maqedonase mbetet baza e sistemit institucional dhe juridik të shtetit dhe nuk mund të vihet në diskutim përmes protestave apo presioneve politike.
Nga ana tjetër, studentët shqiptarë kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit, duke insistuar që provimet shtetërore dhe ato të jurisprudencës të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve në vend.
Ministria e Drejtësisë deklaroi se mbetet e hapur për dialog institucional, por paralajmëroi se nuk do të lejojë, sipas saj, cenimin e sistemit juridik dhe të rolit të gjuhës maqedonase në shtet.
