Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka debatuar ashpër në Kuvend lidhur me votën e Diasporës, duke kritikuar qeverinë për refuzimin e amendamentit të PD-së që synon njohjen e së drejtës së votës për emigrantët shqiptarë pa dokumente biometrike.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi theksoi se Kushtetuta e Shqipërisë e njeh shtetësinë shqiptare për të gjithë ata që kanë prindër shqiptarë, pavarësisht nëse posedojnë një dokument biometrik apo jo.
“Neni 19 i Kushtetutës është i qartë: kushdo që lind nga një prind shqiptar e fiton automatikisht shtetësinë. Kjo qeveri po mohon të drejtën e votës për të paktën 150 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë të regjistruar në Gjendjen Civile, por nuk kanë një dokument të lëshuar nga qeveria. Këta qytetarë figurojnë në listën e zgjedhësve, por nuk mund të votojnë vetëm sepse nuk kanë një pasaportë apo ID biometrike,” deklaroi ai.
