Dhjetëra mijëra qytetarë serbë, të udhëhequr nga studentët, janë mbledhur në kryeqytetin Beograd për të protestuar kundër qeverisë së Aleksandar Vučić dhe për të kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Protestuesit marshuan nga disa drejtime drejt qendrës së Beogradit, duke mbajtur pankarta dhe bluza me sloganin “Studentët fitojnë”, ndërsa atmosfera u karakterizua nga thirrje kundër korrupsionit dhe kërkesa për ndryshim politik.
Lëvizja protestuese u forcua pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja nxiti akuza të forta ndaj institucioneve për korrupsion dhe neglizhencë, duke detyruar dorëheqjen e ish-kryeministrit Miloš Vučević.
Studentët organizatorë kanë deklaruar se protesta do të jetë paqësore, por tensionet mbeten të larta për shkak të pranisë së mbështetësve të Vuçiçit, të cilët sipas raportimeve janë përplasur edhe më herët me protestuesit opozitarë.
Demonstratat po shndërrohen gradualisht në një lëvizje më të gjerë politike, me kërkesën kryesore për zgjedhje të reja dhe hetim transparent mbi korrupsionin institucional.
Ndërkohë, presidenti Vuçiç ka lënë të kuptohet se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen mes muajve shtator dhe nëntor të këtij viti, duke shtuar spekulimet se Serbia mund të hyjë në një fazë të re përballjeje politike.
