Protesta kombëtare e opozitës në Tiranë ka marrë vëmendje të gjerë nga mediat ndërkombëtare, të cilat raportuan për përplasjet mes protestuesve dhe policisë, si dhe për kërkesat për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Reuters raportoi se tensionet u përshkallëzuan pasi demonstruesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë. Sipas raportimit, protesta lidhet me akuzat për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilat ajo i ka mohuar.
Po ashtu, Associated Press i kushtoi një artikull zhvillimeve në kryeqytetin shqiptar, duke përmendur shpërthime, përdorim të gazit lotsjellës dhe kërkesat për dorëheqjen e qeverisë. AP theksoi se hetimet e prokurorisë speciale ndaj Ballukut kanë nxitur përshkallëzimin e tensioneve politike.
Sipas raportimeve, mijëra mbështetës të opozitës brohorisnin slogane kundër kryeministrit, ndërsa situata u tensionua në disa momente gjatë mbrëmjes.
Ngjarjet e sotme pasqyrojnë një klimë të ndezur politike në vend, ndërsa përplasjet dhe akuzat mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të dominojnë skenën publike.
