Qytetarë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë rikthyer sërish në qendër të Tiranës për të protestuar kundër projektit turistik që parashikohet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës.
Tubimi, i nisur në orën 18:00, është protesta e tretë radhazi kundër projektit, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur thirrjen e tyre kryesore: “Shqipëria nuk është në shitje”, duke kërkuar anulimin e investimit dhe mbrojtjen e zonës që ata e konsiderojnë me rëndësi të veçantë mjedisore.
Një ditë më parë, mijëra protestues marshuan nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë, ku kërkuan më shumë transparencë për projektin dhe ngritën shqetësime lidhur me ndikimin e tij në mjedis, biodiversitet dhe pronat e zonës.
Gjatë protestave janë dëgjuar edhe thirrje politike, përfshirë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari.
Debati publik mbi projektin u intensifikua pas ngjarjeve të së shtunës në Zvërnec, ku pati përplasje mes protestuesve dhe personave të angazhuar për sigurinë e kantierit. Pamjet e publikuara në media treguan përdorimin e forcës fizike dhe spray-it me piper ndaj disa protestuesve, duke shkaktuar reagime të forta publike dhe institucionale.
Pas incidentit, autoritetet nisën hetime për identifikimin e personave të përfshirë në dhunë, ndërsa organizata të të drejtave të njeriut kanë kërkuar hetim të plotë dhe garantimin e së drejtës kushtetuese për protestë paqësore.
Protestuesit këmbëngulin se projekti duhet të pezullohet deri në një vlerësim të plotë të ndikimit mjedisor dhe ligjshmërisë së procedurave, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit qytetar në ditët në vijim.
