Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, ka deklaruar se protesta e sotme e opozitës përpara Kryeministrisë pritet të jetë masive, ndërsa theksoi se mënyra se si do të zhvillohet do të përcaktohet nga vetë qytetarët.
Në një intervistë televizive, Boçi u shpreh se Partia Demokratike nuk ka hartuar një skenar të paracaktuar për protestën, duke theksuar se reagimi dhe forma e shprehjes së pakënaqësisë do të varet nga vullneti i protestuesve.
“Qytetarët e kanë në dorë protestën. Ne do të jemi në rreshtin e parë të betejës. Deputetët do të jenë aty dhe do të mbështesin çdo reagim të qytetarëve,” u shpreh Boçi.
Ai shtoi se protesta përfaqëson një moment të rëndësishëm për opozitën dhe se pjesëmarrja masive pritet të dërgojë një mesazh të fortë politik.
