Analisti Martin Leka ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila do të vijojë të mbajë postin, pavarësisht debatit për pezullimin e saj nga detyra.
I ftuar në një emision televiziv, Leka e cilësoi qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese si konfuz dhe pa qartësi ligjore, duke theksuar se një vendim i ndarë 4 me 4 nuk i shërben as ligjit dhe as drejtësisë. Sipas tij, kjo mënyrë vendimmarrjeje tregon mungesë dinjiteti dhe dështim institucional.
“Gjykata Kushtetuese është instanca e fundit ku qytetarët presin drejtësi. Me këtë qëndrim ‘as mish as peshk’, ajo ka treguar se është e paaftë për të përmbushur misionin e saj kushtetues,” u shpreh Leka.
Ai shtoi se një gjykatë që nuk arrin të japë një vendim të qartë dëmton jo vetëm sistemin e drejtësisë, por edhe demokracinë, politikën dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
Sipas Lekës, situata aktuale krijon pasiguri ligjore dhe rrezikon të thellojë krizën e besimit në drejtësinë shqiptare, duke e kthyer Gjykatën Kushtetuese nga një garanci kushtetuese në një problem më vete për shtetin e së drejtës.
