Gjatë protestës së 31-të qytetare në Tiranë, një nga organizatorët, Arben Kola, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, ndërsa u shpreh se klasa aktuale politike duhet t’u hapë rrugë brezave të rinj.
Në fjalën e tij para protestuesve, Kola deklaroi se largimi i kryeministrit duhet të vijë përmes një procesi paqësor, duke paralajmëruar se, sipas tij, pakënaqësia qytetare mund të rritet më tej.
“Rama jep dorëheqjen me të mirë para se qytetarët t’ju marrin vërtet zvarrë e t’ju hedhin në kosh”, u shpreh ai.
Më tej, ai u ndal edhe te nevoja për rinovimin e klasës politike, duke deklaruar se si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike duhet t’u krijojnë hapësirë brezave të rinj.
“Lërjani radhën rinisë. Në PS e PD ka shumë të rinj që mund të qeverisin shumë më mirë se Rama dhe Saliu”, tha Kola.
Protesta vijoi me marshimin e pjesëmarrësve drejt godinës së Kryeministrisë, ku organizatorët dhe qytetarët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë tubimet e tyre edhe në ditët në vijim.
