Ervin Salianji ka reaguar nga burgu për protestën e PD-së me datë 26 nëntor.
Postimi i plotë:
Letër nga qelia 6 #Manifesto
Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojmë, të rezistojmë, të ngremë krye
Shkurtimi i ditës, i ftohti dhe lagështira nuk e kursejnë këtë anë ku është vendosur burgu i Fierit dhe as qelinë nr 6. Këto kushte atmosferike nuk e bëjnë aspak më të mirë një dënim politik.
Por, edhe më të rëndë e sjell atmosfera jashtë. Asnjë lajm i mirë nuk mbërrin nga askund në Shipërinë tonë.
Punët po shkojnë përherë e më keq.
Teksa parakalon rëndshëm propaganda qeveritare sikur në polici dhe në Ministrinë e Brendshme po bëhet nami me konkurse e ndryshime, pasiguria për jetën ka shkuar në skaj.
Vrasja e 14 vjeçarit në derën e shkollës, pas një sherri të përsëritur, tregon dështimin skandaloz të gjithë qeverisë bashkë me atë dyzinë strukturash që ka në varësi, që janë aty, e kanë për detyrë të parandalojmë që tragjedi të tilla të mos ndodhin.
Nuk mundem as ta imagjinoj se si ndihen prindërit e Martinit. Ama në ekran pashë se i ati dhe e ëma u shfaqen me një kurajo të jashtëzakonshme. Dhe me një mesazh frymëzues. As histeri, as thirrje për hakmarrje. Dhe patën edhe empati, kur thanë se edhe prindërit e autorit s’duhet të jenë të lumtur, pasi asnjë baba nuk do që i biri të bëhet kriminel. Kërkuan drejtësi.
Ky ishte një prej manifestimeve më prekëse dhe më ndikuese besoj në opinion në kohët e fundit. Po ashtu dhe protesta që prindër dhe qytetarë bënë të enjten, marshimi I tyre nga vendi I ngjarjes tek Ministria e Arsimit, ku një ogertë u shfaq në një dritare për të kujtuar këdo se sa arrogante dhe e panndjeshme është rilindja.
Mësohet se fjala “Manifestim”, ka dalë më e popullarizuara, më e kërkuara në botë, sipas fjalorit britanik “Cambridge Dictionary”.
